Në prag të 8-Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave, Rrjeti i Grave në Shkencë – RRGSH në bashkëpunim me Komuna Dibër – Municipality of Debar – Општина Дебар organizuan panel panel diskutimi me temë: “Fuqizimi i grave në nivel lokal”.
Panelistet ishin eksperte të fushave të ndryshme dhe njëherazi pjesë e RRGSH-së, Znj. Elisabeta Bajrami Ollogu – nënkryetare e rrjetit të grave në shkencë; Znj. Arta Xhelili – profesoreshë nga fusha e komunikimit e cila foli mbi lidershipin, komunikimin organizativ dhe rolin e gjinisë; Znj. Hana Rusi Saliu – profesoreshë nga fusha e psikologjisë e cila foli mbi stereotipet që i shoqërojnë gratë në pozicione udhëheqëse; Znj. Diturije Ismaili – profesoreshë nga fusha e menaxhimit e cila foli mbi sfidat e grave në pozicione menaxheriale. Pjesë e panelit ishte edhe Znj. Arbana Pasholli – deputete në kuvendin e RMV-së e cila adresoi barrierat që hasin gratë në politikë.
Paneli u moderua nga Znj. Majlinda Kaba Osmani dhe u përshëndet edhe nga Kryetari i Komunës Dibër Z. Hekuran Duka i cili shprehu se Komuna ka ndërmarrë të gjitha masat legjislative për formimin e komisionit komunal për mundësi të barabarta mes gjinive; komisionin për barazi gjinore në nivel të këshillit komunal si dhe ka vendosur bashkëpunim me disa organizata të grave në nivel lokal dhe nacional.